Në ekskursionin e tij të sivjetëm, Këshilli Federal nën drejtimin e presidentit federalm Ueli Maurer, ka zgjedhur të vizitojë tre kantone të Zvicrës Qendrore përnjëherësh. Ditën e parë të ekskursionit, të enjten, në program ishin Kantoni Schwyz dhe ai Uri.
Është hera e parë që nga viti 1941 që Këshilli Federal viziton Muzeun Federal të letrave. Ekspozita moderne tregon se si konfederata e vjetër është zgjeruar me kalimin e kohës dhe po ashtu sqaron se si janë krijuar mitet lidhur me konfederatën.
Pastaj, pjesëtarët e Këshillit Federal janë pritur nga autoritetet kantonale dhe janë ndalur për një apero me qytetarët në qendër të Schwyz-it. Në vazhdim, mysafirët kanë udhëtuar me anije nëpër Liqenin e Urit për në Flüelen. Pasdite ka qenë pritja nga autoritetet e Urit dhe qytetarët, në Altdorf.
Në programin e ditës së dytë është paraparë takimi me autoritetet e Kantonit Nidwalden dhe me qytetarët, në kryeqendrën e kantonit, në Stans. Qëndrimi i Këshillit Federal në Zvicrën Qndrore do të përfundonte në një fermë malore.
Ekskursionet e Këshillit Federal mbahen zakonisht por jo patjetër, në kantonet ku ka vendlindjen presidenti aktual i qeverisë. Ndërsa presidenti Ueli Maurer është përcaktuar kësaj here për tre kantone njëherësh, pasi që këto kantone deri tash nuk janë përfaqësuar asnjëherë nga ndonjë ministër në qeverinë e vendit.