Në afërsi të vendkalimit kufitar, në Kriessern të Kantonit St. Gallen, policia ka kapur një sasi prej 4.7 kilogramësh kokainë të fshehur në aksin e veturës së një shqiptari. Droga ishte fshehur në mënyrë profesionale, duke e konstruktuar një “xhep” në aksin e makinës, njofton Policia e Kantonit të St. Gallenit, shkruan polizeinews.ch.
Me këtë rast është arrestuar korrieri i drogës, një shqiptar 28 vjeçar që ishte edhe shofer i makinës në fjalë.
Rojat kufitare, kishin kontrolluar një makinë të regjistruar në Francë që po hynte në Zvicër. Në kontrollim e sipër të shqiptarit dhe makinës së tij ishin konkretizuar dyshimet se bëhej fjalë për kontrabandë të drogës. Më tutje, specialistët në mesin e rojave kufitare gjetën në aksin e pasmë të makinës një “xhep” të punuar në mënyrë profesionale, ku ishin fshehur katër paqeta me gjithsej 4.7 kilogramë kokainë. Personi i arrestuar dhe droga e gjetur te ai, i janë dorëzuar Policisë Kantionale të St. Gallenit.
