Nga 30 janari deri më 1 shkurt autoritetet policore të Dresdenit kanë zënë 16 emigrantë ilegalë të cilët kanë shfrytëzuar linjat e trenave ndërkombëtarë për të ardhur në Gjermani.
Grupi i parë i kapur të premten në trenin Eurocity 174 përbëhej nga pesë shtetas kosovarë të moshave 15 deri 56 vjeçare. Ndërsa të dielën në trenin Euro-Night të linjës 476 janë kapur edhe 11 kosovarë të tjerë të moshave 15 deri 51 vjeçare. Të gjithë personat e kapur kanë pasur vetëm dokumentacion kosovar dhe u kanë munguar dokumentet që mundësojnë qëndrimin në Gjermani.
Katër femra dhe 12 meshkuj qysh gjatë marrjes në pyetje janë shprehur se kërkojnë azil. Pas kësaj ata u janë dorëzuar autoriteteve për të huaj të landit të Saksonisë, në Chemnitz.