Sipas policisë shqiptare, Agustin Kolthi, nga Lezha, u arrestua në orët e para të mëngjesit, pasi në automjetin e tij me targa të huaja u gjetën 5 kg heroinë, të ndara në 9 pako, transmetojnë mediat e Tiranës.
“Pikërisht në pjesën e brendshme të prapakolpit, në anë të endoskopit, u gjetën e u sekuestruan në cilësinë e provës materiale 9 pako të mbushura me lëndë në gjendje pluhuri, e ngjashme me karakteristikat e lëndës narkotike të llojit heroinë, me peshë prej rreth 5 kilogram, të cilat ishin të mbështjella me natriban, tetë prej tyre me formë kubike e me natriban ngjyrë kafe dhe një pako në formë cilindrike me plasmas të tejdukshëm e me natriban ngjyrë kafe.”, thuhet në njoftimin e policisë.
Dyshohet se lënda narkotike kishte destinacion Zvicrën, ndërkohë që policia po vijon hetimet për të zbuluar prejardhjen e drogës, apo persona të tjerë të përfshirë në këtë rrjet trafiku.
“Aktualisht nga Drejtoria e Policisë Qarku Shkodër në bashkëpunim me Drejtorinë Rajonale të Kufirit dhe Migracionit Shkodër po punohet për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes në fjalë, me qëllim zbardhjen e zbulimin e të tjerë personave të përfshirë në këtë veprimtari te jashtëligjshme të trafikimit ndërkombëtar të lëndëve narkotike.”, njoftoi policia shqiptare.