Kanë kaluar vetëm dhjetë ditë nga refuzimi bindës që votuesit zviceranë i bënë iniciativës për caktimin e një page minimale në nivel të Zvicrës. Por kjo nuk e ka penguar kantonin Neuchatel që të vendosë një pagë minimale në nivel kantoni. Kjo pagë, e caktuar nga Parlamenti kantonal është 20 franga në orë.
Me këtë vendim, kantoni Neuchatel (Neuenburg) bëhet i pari që e vë në fuqi pagën minimale. Së shpejti pritet që edhe kantoni Jura ta bëjë të njëjtin veprim, duke bërë kështu që dy kantone të vogla të Zvicrës frankofone të luajnë rolin e pionierit në këtë fushë të ndjeshme.
Ndryshe, populli me të drejtë vote në Neuchatel e kishte votuar që më 27 nëntor të vitit 2011 një iniciativë për pagën minimale dhe kjo ishte futur në kushtetutë, shkruan nzz.ch.
Ndërkaq, Parlamenti i Kantonit, të mërkurën, më 28 maj ka vendosur me shumicë të theksuar votash për këtë qëndrim. 85 parlamentarë kanë votuar pro, 22 kundër dhe 4 të tjerë kanë qenë të përmbajtur.
Kundërshtarët e pagës minimale në parlamentin e kantonit Neuchatel janë shumica nga partitë SVP/UDC dhe FDP/PLR.