Qeveria Federale e Zvicrës ende nuk ka përcaktuar kur dhe nëse një freskim (plotësim) i vaksinimit kundër koronës është fare i nevojshëm, shkruan srf.ch.
Por, Departamenti i Shëndetësisë i Kantonit të Cyrihut tashmë po përgatitet për raundin tjetër, transmeton albinfo.ch. Ai planifikon të ofrojë një vaksinim përforcues në shtëpitë e pleqve, duke filluar nga fundi i vitit 2021.
Tri qendrat e vaksinimit: në Hirschengraben, në Uster dhe në Winterthur do të plotësohen me dy qendra shtesë për vaksinimin e publikut të gjerë.
“Qendrat e freskimit” ose përforcimit të vaksinimit do të ngrihen në qytetet Affoltern dhe Bülach. Farmacitë dhe praktikat mjekësore do të duhet gjithashtu të jenë në gjendje të ofrojnë vaksinimin përforcues ose plotësues.