Kandidati për deputet nga radhët e AAK-së në Prizren, Lulzim Kabashi, është i ftuari i radhës nga Gjykata Speciale.
Këtë e ka konfirmua vetë Kabashi.“Po, jam ftuar dje nga Gjykata Speciale në cilësinë e dëshmitarit, dhe do të paraqitem më 24 shtator në Hagë. Qëndrimi im është i qartë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e pastër. Pastërtinë e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës nuk mundet askush me e mohu edhe me e tjetërsu dhe ky është qëndrimi im dhe do jetë gjithmonë”, ka thënë Kabashi për Gazeta Blic, përcjell Albinfo.ch.
Kabashi kandidon në zgjedhjet e 6 tetorit nën siglën e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës për të fituar një nga 120 ulëset në Kuvendin e Kosovës.
Ai është kryetar i degës së AAK-së në Prizren si dhe ka kandiduar për të parin e Prizrenit në zgjedhjet e fundit lokale. Në legjislaturën e fundit Kabashi ka shërbyer edhe si këshilltar i jashtëm politik i kryeministrit Haradinaj.