Gjatë vitit 2025, autoritetet serbe kanë arrestuar gjashtë shtetas të Kosovës dhe dyshohet edhe për një rast rrëmbimi, kryesisht gjatë udhëtimeve transit përmes territorit të Serbisë. Shumica e të ndaluarve janë akuzuar për “krime lufte” ose “shkelje të rendit kushtetues të Serbisë”, akuza që familjarët dhe avokatët i konsiderojnë të pabazuara dhe politikisht të motivuara, shkruan albinfo.ch.
Një nga rastet më të përfolura është ai i Tefik Mustafës, i cili u ndalua në qershor 2024 në pikëkalimin kufitar të Merdarës dhe kaloi 13 muaj në paraburgim në Serbi, për t’u liruar më pas si i pafajshëm. Familja e tij thotë se ai ka pësuar pasoja të rënda fizike dhe psikologjike nga kushtet e burgimit dhe aktualisht po trajtohet mjekësisht në Zvicër.
Vëzhguesit dhe ekspertët e lidhin valën e arrestimeve me ndërprerjen e dialogut Kosovë–Serbi dhe mungesën e bashkëpunimit mes sistemeve të drejtësisë. Sipas tyre, qytetarët po kthehen në “kolateral politik” të tensioneve mes dy vendeve.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka përsëritur thirrjet që qytetarët të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, duke vlerësuar se ky territor nuk ofron siguri minimale juridike dhe fizike për shtetasit kosovarë.
Një artikull më i zgjeruar mbi këtë temë mund ta lexoni në Radion Evropa e Lirë.