Kandidati për kryeministër i PDK-së, Kadri Veseli, gjatë së dielës ka qëndruar në pikë kalimin kufitar me Serbinë në Merdar.
Veseli ka shkruar në Facebook se mërgimtarët nuk do të paguajnë më Kartonin e Gjelbër.
“Në Merdar sot takova shumë bashkatdhetarë, ku shkova personalisht që t’i njoftoj se nuk do të paguajnë më asnjë cent për Kartonin e Gjelbër kur të vijnë në atdhe”, ka thënë Veseli.
Ish-kryetari i Kuvendit ka shkruar se vendi i ka shumë borxh diasporës.
“Kosova i ka shumë borxh diasporës sonë dhe mbulimi i kostos së Kartonit të Gjelbër për bashkatdhetarët është më e pakta që ne mund të bëjmë për ta. Me mua si kryeministër, kur të vijnë për festat e fundvitit, askush më nuk do t’u kërkojë para bashkatdhetarëve për të ardhur në shtëpitë e tyre. Ky është zotim imi, që do ta realizoj sapo ta krijoj Qeverinë time”, ka përfunduar Veseli, shkruan Albinfo.ch.