Në fshatin turistik Shtrazë të Kaçanikut është organizuar piknik për bashkatdhetarët me moton “ti je pjesë e atdheut”. Kjo është organizuar nga Komuna e Kaçanikut në bashkëpunim me Qendrën Kulturore “Kaçaniku”, raporton albinfo.ch.
Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi u shpreh se diaspora ka pasur gjithmonë rol të veçantë në mbijetesën e vendit tonë, si para lufte dhe gjatë luftës, ashtu edhe në periudhën e shtetndërtimit të Kosovës.
Kryetarja e Qendrës Kulturore, Remzie Dardhishta, uroi që mërgimtarët të kalojnë qaste të këndshme nën shoqërimin e këngëve dhe valleve nga artistët e kësaj qendre.
Në emër të bashkatdhetarëve takimin e përshëndeti Zarie Bajrami bashkëshortja e Komandantit heroit, Agim Bajrami, e cila falënderoi organizatorët për këtë aktivitet, kurse kërkoi nga mërgimtarët që më shumë të jenë pjesë e këtyre aktiviteteve kulturore.
Artistët dhe orkestra e Qendrës Kulturore shfaqën një program të pasur artistik me këngë, valle e recitime.