Boksieri shqiptar Besim Kabashi, kampioni botëror në kickboks, i gjetur dy ditë më parë pa shenja jete në banesën e tij në Munih, besohet se ka vdekur nga mbidoza e barnave që ka përdorur.
Gazeta gjermane e Munihut, “Süddeutsche Zeitung” shkruan se duket qartë se boksieri ka vdekur nga mbidoza e medikamenteve. “Nuk kemi nga ai asnjë letër lamtumire dhe asgjë nuk të bën të mendosh që ai të ketë bërë vetëvrasje”, i ka thënë gazetës një zëdhënës policie.
Por megjithatë, shkaku i saktë të vdekjes së kampionit do të konstatohet nga rezultatet e obduksionit dhe të kontrollit toksikologjik.
Kabashi, 35 vjeçar ishte gjetur natën në mes të të shtunës dhe të dielës pa shenja jete në banesën e tij ndërsa vdekja e tij është konstatuar pak më vonë, në spital.
Ai do të mbronte titullin e Kampionit Botëror me 16 dhjetor në Circus Krone. Mbrëmja e boksit do të transmetohej drejtpërdrejt nga sat1.
Vdekja ende e pandriçuar e Besim Kabashit, ka ngjallur jehonë të konsiderueshme në mediet gjermane dhe ato zvicerane. Madje edhe dy nga gazetat më prestigjioze të hapësirës gjermanofone, “Süddeutsche Zeitung” e Munihut dhe “NZZ” e Cyrihut kanë botuar shkrime të veçanta mbi rastin e vdekjes ende misterioze të tij.
Gazeta “NZZ” i bën një portret kampionit të boksit, duke e përshkruar atë si një luftëtar të paepur në ring, i cili me një energji të pashterrshme godiste pa mëshirë por edhe merrte shumë goditje, të cilave u bënte ballë me një qëndrueshmëri të jashtëzakonshme.
Kabashi, sipas kësaj gazete, përveç angazhimit në ring, ishte shumë aktiv edhe në përpjekjet e tij për të dëshmuar se boksierët nuk janë vetëm “makina dhune” por kanë edhe ndjenja dhe tru. Mirëpo, një ekses në të cilin ishte implikuar në fillim të nëntorit, e kishte zbehur paksa besueshmërinë e Besimit. Ai, në festën e madhe të birrës “Oktoberfest” në Munih, kishte rrahur një kamerier.
I përballur me trupin gjykues, ai, me kokë të ulur, shkruan NZZ, kishte pranuar fajin. Por, kishte sqaruar se kishte qenë aq i dehur sa që nuk i kujtohej asgjë nga rasti.