Në organizim të përbashkët të Ministrive të Arsimit të Kosovës dhe të Shqipërisë në Korçë, ka filluar punimet Seminari i tetë mbarëkombëtar me mësuesit e Shkollës Shqipe të Mësimit Plotësues SHSHMP në diasporë “Korça 2012”.
Ky seminar, siç njoftim Ministria kosovare e Arsimit, sivjet përkon me 100 vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë në shenjë të të cilit është hartuar dhe promovuar edhe Abetarja e përbashkët Shqipëri – Kosovë.
“Historia ka treguar se në agime të ndryshimeve të mëdha, udhëheqësit e popullit dhe elitat intelektuale në diasporë kanë përkufizuar udhën e lirisë, madje kanë skicuar udhën për të ndërtuar institucionet.
Ju si çdoherë, ditët të përshtateni edhe me zhvillimet e reja që tani sjellë globalizmi dhe për rrjedhojë, si ambasadorë të shqiptarizmës, kudo që ishit dhe jeni, përfaqësoni dhe jeni një zë i artikuluar politikisht dhe kulturalisht i interesave dhe aspiratave të popullit tuaj”, tha Ragip Gjoshi, këshilltar i ministrit Ramë Buja.
Punimet e seminartit i ka përshëndetur edhe edhe zëvendësministri i Arsimit i Shqipërisë, Ardian Tano.
Një tjetër pikë e rëndësishme në këtë seminar, sipas MASHT-it, i është kushtuar Abetares së përbashkët. Mimoza Gjokutaj, profesoreshë në Universitetin e Tiranës, me punimin e saj “Abetarja e përbashkët në udhën e realizimit të ëndrrës mbarëshqiptare”, solli të dhëna lidhur me përpjekjet e kahershme për të parë një Abetare të përbashkët.