Pas kërcënimeve që i kishin ardhur nga ekstremistët e majtë, ish ministri gjerman, Joschka Fischer ka anuluar ligjëratën që do të mbante nesër në Winterthur të Zvicrës. Kështu bën të ditur teatri i Winterthurit ku duhej të mbahej ky aktivitet.
Fischer ka thënë se nuk është i interesuar që” nën mbrojtjen e policisë të ligjërojë për një botë më të mirë”.
Siç kemi shkruar tashmë, një lëvizje ekstreme me emrin “Bashkësia Antikapitaliste e Winterthurit” kishte porositur anëtarët e saj që të gjuanin Fischerin “me këpucë dhe me torta”. Bashkësia në fjalë kishte kërkuar po ashtu që Fuscher të dëbohej nga qyteti!
Arsyeja e një sulmi të tillë ishte pranimi që Joschka Fischer kishte bërë në vitin 1999 që të sulmoheshin caqet serbe nga forcat e NATO-s. Ekstremistët fajësojnë po ashtu ish ministrin gjerman për, siç thonë ata, faktin se ish majtisti i bindur i dikurshëm sot pranon edhe mandate nga koncernet energjetike dhe të naftës.