Debati për ndërtimin e xhamisë po vazhdon, ku disa janë pro që të ndërtohet kjo xhami në lagjen “Dardania” në Prishtinë, e disa janë kundër.
Kryetari i Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmeti e ka paraqitur projektin para asamblistëve të Komunës së Prishtinës.
Projekti i xhamisë, është bërë e ditur se do të financohet dhe do të ndërtohet nga Bashkësia Islame Turke, me një kosto të përgjithshme prej rreth 40 milionë euro, raporton “Evropa e Lirë”.
Ahmeti ka thënë se xhamia do të ndërtohet, por, që për projektin e kësaj xhamie duhet të ketë konsensus politik dhe shoqëror, përcjell albinfo.ch.
Vërejtjet e asamblistëve kanë pasur të bëjnë me arkitekturën e xhamisë. Sipas tyre, xhamia nuk do të duhet të ketë arkitekturë neoklasike osmane, por një arkitekturë moderne.
Po ashtu sipas tyre, orientimi i objektit nuk përkon me vend lokacionin. Lokacioni nga shumica e asamblistëve konsiderohet të jetë ndarë në vend të gabuar, pasi që sipas tyre për ndërtimin e një xhamie qendrore do të duhej të kishte hapësirë më të madhe.
Ndërkohë, përfaqësues të Bashkësisë Islame të Kosovës iu kanë kërkuar asamblistëve që të mbështesin projektin aktual të xhamisë.