Më 21 mars 2018, Qeveria Zvicerane aprovoi Marrëveshjen mbi Sigurimet Shoqërore në mes të Zvicrës dhe Kosovës. Mirëpo, kjo nuk domethënë aspak se marrëveshja ka hyrë në fuqi, pasi që i takon tani Parlamentit Zviceran që të shprehet lidhur me marrëveshjen përkatëse, duke shpresuar kështu edhe hapjen e rrugës për ratifikimin definitiv të saj.
Kurse, siç dihet, sipas rregullave të së drejtës ndërkombëtare që aplikohen për marrëveshjet bilaterale, nuk i takon vetëm Parlamentit Zviceran që të vendosë ; duhet që për miratimin e saj të shprehet edhe Parlamenti i Kosovës.
Nëse është e sigurt se pala kosovare do t’a miratojë marrëveshjen në fjalë, mund të thuhet se kjo vlenë edhe për palën zvicrane, pasi që besohet se shumica dërmuese e kushteve për finalizimin e saj janë të përmbushura.
Analizën tonë mund t’a mbështesim përmes tre argumenteve si vijojnë :
- Në nivelin zviceran, u ngrit shkalla e sensibilizimit institucional dhe politik mbi domosdoshmërinë e ndryshimit të situatës aktuale e cila penalizon në mënyrë të padrejtë një kategori të njerëzve tanë nga Kosova të cilët kanë punuar në shtetin zviceran. Është kuptuar pra se do të ishte e paqëndrueshme nëse mbahet një llojë statu quo apo një praktikë e cila ngërthen në vete disa elemente diskriminuese ;
- Disa nga kushtet esenciale që Zvicra ia kërkonte Kosovës vlerësohet se janë plotësuar gradualisht nga pala kosovare. Janë posaçërisht kushtet që kanë të bëjnë me implementimin e mekanizmave institucional dhe juridik që duhet të shoqërojnë jetësimin praktik të një marrëveshje bilaterale. Kjo vlenë edhe për rritjen e efikasiteti të luftës kundër keqëpërdorimeve në lëmin e sigurimeve shoqërore. Edhe konsolidimi i transparencës dhe besueshmëria ndaj regjistrave të gjendjes civile duket se e kanë ngritur shkallën e cilësisë së tyre ;
- Kohëve të fundit, Zvicra gjindet paralelisht në një dinamikë të ripërtrirjes dhe adaptimit të marrëveshjeve mbi sigurimet shoqërore me disa shtete tjera të Ballkanit perëndimor. Në kontekstin e tillë, nuk vërehet pothuajse asnjë pengesë apo arsye që Zvicra të mbajë një qëndrim tjetër ndaj Kosovës. Interesi i shprehur nga shteti zvicran është që të promovojë një politikë globale të barazpeshuar dhe të harmonishme ndaj të gjitha shteteve të Ballkanit perëndimor.