Izraeli ka ripërsëritur sot thirrjet për evakuim masiv nga qyteti jugor i Rripit të Gazës, Kan Jounis, ku kanë kërkuar strehim dhjetëra-mijëra palestinezë të zhvendosur në javët e fundit.
Zgjerimi i ofensivës tokësore dhe bombardimeve, pas skadimit të një armëpushimi njëjavor, kanë për qëllim shkatërrimin e sunduesit të Gazës, Hamasit.
Sipas raportimeve, rreth 2 milionë njerëz janë zhvendosur tani në pjesën jugore të vendit, e cila ka një hapësirë prej vetëm 230 kilometrave katrorë, përcjell albinfo.ch.
Lufta e Izraelit tani është e përqendruar në jug të Gazës, prandaj ushtria izraelite i ka përsëritur sot thirrjet për evakuim të madh, megjithëse raportohet që nuk është e qartë se ku mund të shkojnë njerëzit tani.
Strehimoret janë të stërmbushura tashmë, ndërsa fqinjët e Izraelit, edhe Egjipti, nuk duan të pranojnë palestinezë të Gazës në vendet e tyre.
Ndryshe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës po i bëjnë presion Izraelit ta shmangë zhvendosjen masive të njerëzve dhe vrasjen e civilëve.