Raportohet se dy mërgimtarë janë gjetur të plagosur me thikë, të shtrirë në anë të rrugës, në Pescara të Italisë, në zonën e Villa Raspa di Spoltore, njofton albinfo.ch.
Të plagosurit janë E.B., 41 vjeç dhe L.C., 39 vjeç. Të dy u gjetën mbrëmjen e së mërkurës nga një makinë e rastit. Drejtuesi i këtij mjeti pa lëvizje në anë të rrugës dhe ndaloi. Aty gjeti dy burrat të gjakosur dhe të goditur me thikë.
Menjëherë u dha ndihmën e parë dhe i dërgoi në spital. Shtypi italian raporton se 41-vjeçari është në gjendje më të rëndë. Kurse 39-vjeçari ka plagë në këmbë.
Pasi gjendja e tyre shëndetësore të stabilizohet, do të merren në pyetje nga policia për të zbardhur rrethanat.
Shkaqet e ngjarjes nuk dihen dhe është e paqartë nëse të dy kanë plagosur njëri-tjetrin me thikë apo janë sulmuar nga persona të tjerë. Kjo pritet të përcaktohet nga hetimet e autoriteteve italiane në vijim. /Albinfo.ch