Përmes një komunikate ISHPK kërkon nga qytetarët që të kenë kujdes, sepse ende sipas Institutit ekziston rreziku i përhapjes së koronavirusit, në vendet ku ka grumbullim të madh të njerëzve.
“Sot vërehet fluks i shtuar i qytetarëve kudo nëpër Kosovë. Kjo është sjellje e rrezikshme dhe lehtësimi i lëvizjes nuk nënkupton mosrespektimin e rekomandime të Institutit Kombëtar dhe Ministrisë së Shëndetësisë me mbajtjen e distancës fizike dhe mbajtjen e maskave në vendet publike”, thuhet në njoftimin e ISHPK-së.
Në Kosovë të hënën ka nisur faza e parë e lehtësimit të masave të izolimit kundër COVID-19, me hapjen e disa bizneseve dhe po ashtu zgjatjen e orarit të lëvizjes së qytetarëve në 3 orë.
Sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik në Kosovë nga data 8 shkurt deri më më 03 maj 2020, janë testuar gjithsej 8.287 mostra të dyshimta me koronavirusin e ri dhe prej tyre pozitive rezultojnë 851 raste, me gjithsej 25 raste të vdekjes dhe 381 raste të shëruara.