Pas gjashtë orë bisedimesh mes partive gjermane në pushtet, koalicioni qeveritar i udhëhequr nga Angela Merkel ka miratuar masa të reja, të cilat duhet të përshpejtojnë integrimin e refugjatëve dhe do të forcojnë legjislacionin kundër terrorizmit, njoftojnë mediat nga Berlini, përcjell albinfo.ch.
Qeveria gjermane do të ofrojë kurse falas për emigrantët e rinj që vijnë në vend dhe në të njëjtën kohë duke e lënë mundësinë që të dëbohen të gjithë ata që refuzojnë të mësojnë gjuhën dhe të integrohen.
Pas negociatave të gjata, lideri i grupit parlamentar të socialdemokratëve, Thomas Oppermann, përmes llogarisë së tij në Twitter ka raportuar se “prej 50 vjetësh të integrimit të Gjermanisë fitoi ligji i imigracionit”.
Sipas masave të reja të propozuara, me paratë nga buxheti federal do të krijohen 100 mijë vende pune për azilkërkuesit. Ata që përballen me dëbimin e menjëhershëm nuk do të jenë në gjendje të përdorin këto mundësi dhe ata që do të jenë pjesë e trajnimit nuk mund të dëbohen, derisa janë pjesë e një projekti të qeverisë.
Sipas dokumentit të miratuar nga qeveria në Berlin, mësimin i gjuhës gjermane do të jetë i detyrueshëm për të gjithë ata që janë në planin e vendit për qëndrim të shkurtër.
Partnerët e koalicionit në qeverinë gjermane në takim ranë dakord për të siguruar më shumë financa, staf dhe kompetenca për forcat e sigurisë në luftën kundër terrorizmit.
Projektligji duhet të paraqitet në fund të majit në Kuvend, ku koalicioni qeverisës ka shumicën absolute.