Pas 26 vitesh në listën e personave të zhdukur, janë identifikuar mbetjet mortore të Elhami (Qamil) Tahiragës nga Rahoveci, falë analizës shkencore të ADN-së, përcjell albinfo.ch.
Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur, në bashkëpunim me Institutin e Mjekësisë Ligjore, ka informuar zyrtarisht familjen Tahiraga mbi rezultatet e identifikimit, duke u dhënë fund dekadave të pasigurisë për fatin e tij.
Me këtë rast, Komisioni Qeveritar ka shprehur solidaritetin dhe mbështetjen për familjen, duke shpresuar se ky identifikim do t’u sjellë sadopak lehtësim pas një pritjeje të gjatë e të dhimbshme.
Ky rast nënvizon rëndësinë e vazhdimit të punës për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur, një çështje ende e hapur për qindra familje në Kosovë.
Të martën, Komisioni ka njoftuar se janë identifikuar edhe disa mbetje mortore të tre viktimave të Masakrës së Kralanit.