Ushtria Zvicerane ka blerë plot rreth 700,000 maska të padobishme – nga dy sipërmarrës të rinj nga Cyrihu. Maskat thuhet se ishin të falsifikuara dhe gjithashtu të infektuara me myk, raporton gazeta “Tages-Anzeiger” .
Nga gjithsej 1.5 milion maska me një çmim të njësisë prej 8.50 deri në 9.90 franga, rreth gjysma (mbi 700 mijë) prezantohen sikur kanë ardhur nga kompania egjiptiane “Chemi Pharma Medical”.
Mirëpo, kompania në fjalë prodhon maska mbrojtëse, por jo maska FFP2, transmeton albinfo.ch.
Pronari i saj ka thënë për gazetën e përmendur : “Unë kam mësuar në prill se dikush po keqpërdorte emrin e kompanisë sime për të shitur maska. Nuk e di kush qëndron prapa këtij keqpërdorimi”.
Kompania furnizuese në Zvicër është Emix Trading, një kompani e Cyrihut që u transferua në Zug menjëherë pas këtij biznesi të realizuar, përcjell albinfo.ch. Sipas raportit, tani është ngritur një kallëzim penal kundër kompanisë për fajde në kantonin e Cyrihut.
Deri në vendimin gjyqësor vlen prezumimi i pafajësisë.