Zviceranët frikësohen se në rast të hyrjes së Zvicrës në Bashkimin Evropian, ata do të trasheshin! Dhe, duket se kanë të drejtë. Këtë e ka konstatuar në mënyrë shkencore një studim i bërë nga Universiteti i Lozanës.
Ja se për se është fjala: duke krahasuar mesataren e kalorive që konsumojnë qytetarët e vendeve të BE-së me ato që konsumojnë zviceranët, del se këta të fundit hanë më pak.
“Pas hyrjes në BE, në Gjermani, Itali, Francë dhe Portugali ishin ulur çmimet e prodhimeve të mishit dhe të qumështit”, sqaron udhëheqësi i studimit, Vidal. Për pasojë, ishte rritur konsumi i tyre dhe kështu banorët e këtyre shteteve kishin shtuar peshë. Para hyrjes në BE, portugezët, fjala vjen, konsumonin më shumë peshk dhe vaj ulliri ndërsa e evitonin mishin. “Sot, konsumimi i mishit, në veçanti mishit të kuq ka shënuar rritje të madhe”.
Nga ana tjetër, në Zvicër, çmimet e mishit kane mbetur të larta dhe për këtë arsye zviceranët përcaktohen më me dëshirë për mishin e shpezëve që është më i lirë.
Sipas studiuesit Vidal, ka edhe një arsye tjetër për dallimin që kane në peshë zviceranët me shtetasit e vendeve të BE-së. Ushqimet e vendeve të përmendura përmbajnë më tepër sheqer dhe yndyrë, shkruan 20Minuten.ch.
Këtë gjendje e pranojnë edhe kompetentët evropianë. Një masë që mendohet të përmirësojë gjendjen është deklarimi më i saktë i përbërjes së sheqerit dhe të yndyrës në paketimet e ushqimeve.
Përderisa shtetasit e vendeve jugore të BE-së heqin dorë gjithnjë më shumë nga mënyra e ushqimit mediteran, zviceranët pëlqejnë më shumë këtë mënyrë ushqimi. Ata konsumojnë më tepër perime, peshk, vaj ulliri dhe më pak mish të kuq”, thotë David Fäh, mjek i preventivës në Universitetin e Cyrihut. Ndërkaq, Vidal shpreson që kështu të mbetet edhe më tutje. Sipas tij “në rast të hyrjes së Zvicrës në BE, popullsia me gjasë do të shtonte në peshë”.