Taulant Xhaka ka dalë fitues në derbin ndaj Jahmir Hykës, edhe pse ky i fundit realizoi dy gola. Luzerni humbi në shtëpi ndaj Baselit me rezultat 2:3 në takimin e vlefshëm për javën e tretë të Superligës zvicerane, shkruan albinfo.ch.
Fillimisht, vendasit e panë veten në disavantazh pas golit të Sushit, ndërsa Hyka barazoi shifrat në minutën e 18-të. Mesfushori shqiptar përmbysi shifrat në minutën e 30-të, duke përcaktuar edhe rezultatin e pjesës së parë.
Por, miqtë nuk u ndalën me kaq. Janko realizon dy gola në pjesën e dytë (70′, 79′), duke i dhënë tri pikë të vlefshme ekipit të tij në transfertë.
Asgjë për t’u shënuar për Taulant Xhakën, i cili në minutën e 21-të të lojës mori edhe një karton të verdhë, ashtu si edhe mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Hekuran Kryeziu, i cili luan me Luzernin.
Një javë më parë Hyka realizoi një tjetër gol për Luzernin ndaj Grasshorperit. Pas asaj sfide, ai u përfshi edhe në formacionin e javës në kampionatin helvet.