Pavarësisht se qytetarët paguajnë shuma të mëdha parash dhe iu duhet të presin në radhë për t’u testuar për COVID-19 në laboratorin “Medical Laboratory Services”, ata në fund nuk marrin analiza të sakta.
Laboratori i cili është në pronësi të vajzës së Blerim Devollit, duket se ka probleme serioze me saktësinë e kryerjes së testit PCR për detektimin e COVID-19.
Kështu të paktën del në një rast, të dhënat e të cilit i ka siguruar Gazeta Express, përcjell Albinfo.ch.
Një personi, të cilit i ishte marrë mostra më 26, më datën 27 gusht 2020 kishte rezultuar pozitiv me COVID-19 sipas rezultateve të laboratorit ‘Medical Laboratory Services’.
“Ne mostrën e pranuar ka prezencë të sekuencave specifike të Corona Cov-2 (JANE DETEKTUAR)”, thuhet në dokumentacionin e lëshuar nga laboratori MLS.

Por, një ditë më pas, më 28 gusht 2020, pasi kishte udhëtuar drejt Austrisë, në analizat e kryera nga institucionet shëndetësore austriake ka rezultuar negativ.
“Negativ, nuk është detektuar SARS COV 2”, është përfundimi i analizës në laboratorin austriak.

“Medical Laboartory Services” aktualisht ka monopol në kryerjen e analizave PCR për COVID-19, duke qenë se shteti i ka hequr licencën që i kishte thënë para pak kohësh UBT-së.
Për kryerjen e një testi Rapid PCR në laboratorin MLS duhet paguar 200 euro.
Pas debatit të madh në rrjete sociale , MLS kur është munduar të arsyetojë këtë çmim të lartë, kanë thënë se është i tillë meqë analizat merren brenda 45 minutave.
Por, menjëherë është demantuar nga një qytetar, i cili e ka faktuar se pavarësisht që kishte paguar 200 euro, i është dashur të presë më shumë se dy orë për analiza.
Derisa çmimi për kryerjen e një testi PCR jo rapid, sipas MLS-së, kushton 65 euro.