Hungaria ka kërkuar sërish ndryshime në paketën e re të sanksioneve të BE-së ndaj Rusisë, këtë herë duke kërkuar që kreu i Kishës Ortodokse ruse të hiqet nga lista, sipas burimeve diplomatike.
Komisioni Evropian propozoi përfshirjen e kreut të Kishës Ortodokse ruse, Patriarkun Kirill, në paketën origjinale të sanksioneve të paraqitur nga Brukseli në fillim të majit.
Kirill, një mbështetës i zjarrtë i presidentit rus Vladimir Putin, ka mbështetur pushtimin e tij në Ukrainë në predikimet e tij fetare duke fajësuar NATO-n dhe Perëndimin për luftën e urdhëruar nga Putin.
Kirill i ka rezistuar gjithashtu përpjekjeve të Papa Françeskut për të ndërmjetësuar në luftë ose për të mbështetur një armëpushim në Ukrainë.
Hungaria kundërshtoi përfshirjen e klerikut të lartë rus por udhëheqësit e BE-së nuk e diskutuan këtë çështje në samitin ku mori pjesë kryeministri hungarez, Viktor Orban.
Kjo është barriera më e fundit që Hungaria ka ngritur pas një lobimi të madh kundër embargos së BE-së ndaj naftës ruse.