Kanadaja ka njoftuar se ka ndaluar dy kompanitë kineze, gjigantin e telekomunikacionit Huawei Technologies dhe ZTE, të marrin pjesë në rrjetet pa tel 5G të vendit.
Ministri i Sigurisë Publike, Marco Mendicino dhe ministri i Inovacionit, Shkencës dhe Industrisë, Francois-Philippe Champagne, e njoftuan vendimin në një konferencë të përbashkët për media.
Mendicino tha se pas një studimi të gjatë dhe të kujdesshëm, dy kompani kineze u përjashtuan nga konkurrenca në instalimin e rrjetit kanadez 5G, gjenerata e pestë e rrjetit pa tel (wireless).
Mendicino shtoi se ekziston një “rrezik i lartë” për të lejuar Huawein ose ZTE të marrin pjesë në instalimin e rrjetit të ri.
“Kjo është pjesë e një strategjie të fortë për të mbrojtur sigurinë tonë kombëtare”, tha ai.
Kina është akuzuar më parë për sulme kibernetike ndaj qeverisë kanadeze dhe infrastrukturës së saj.