Kosova është duke bërë përgatitjet për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Evropës, ka bërë të ditur zëvendëskryeministri i Kosovës, Enver Hoxhaj. Megjithëkëtë, ai ka thënë se anëtarësimi mund të bëhet tek në vitin 2020.
Hoxhaj ka raportuar para Komisionit për Punë të Jashtme të Kuvendit. Deputetja e LDK-së, Vjosa Osmani, e ka pyetur Hoxhajn nëse iniciativa për shfuqizimin e Speciales mund të ndikojë pastaj te votimi i shteteve veç e veç. Por, zëvendëskryeministri nuk ka dashur të flasë për këtë.
“Nuk dua të bëj koment sa i takon iniciativës për shfuqizimin e Speciales. Ka një momentum, i cili mund të shfrytëzohet pavarësisht zhvillimeve në vend”, ka thënë Hoxhaj.