Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, në Komisionin për Integrim Evropian ka thënë se janë në pritje të rekomandimit pozitiv për vizat nga Komisioni Evropian.
Ajo u shpreh e bindur se Kosova i ka plotësuar të gjitha kriteret e caktuara për këtë proces, por tha se procesi varet nga shtetet anëtare të BE-së, përcjell albinfo.ch.
“Procesi zakonisht s’ka marrë kohë me shumë se 6 muaj. Nëse ka vullnet nga shtetet anëtare, kosovarët mund të lëvizin pa viza në fund të vitit”, ka thënë ajo.
E, kryetarja e Komisionit, Blerta Deliu-Kodra, ka kërkuar koordinim më të madh të Qeverisë me Kuvendin për çështjen e vizave.
Ndërsa, deputetja e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi, tha se janë të padrejta vonesat në liberalizimin e vizave.
Ministrja tha se pajtohet që të takohen dhe të koordinohen më mirë se si të bisedojnë me institucionet e BE-së që liberalizimi të ndodhë sa më shpejt dhe të mos këtë vonesa.