Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, tha të shtunën se përmbyllja sa më shpejt e procesit të dialogut është në interesin e Kosovës si dhe të Bashkimit Evropian e Shteteve të Bashkuara.
Këto komente vijnë pas takimit të tij me përfaqësuesit e BE-së, ku është diskutuar për rifillimin e procesit të dialogut, procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën si dhe rimëkëmbjen ekonomike pas pandemisë, të cilat i ka shpalosur Hoti të shtunën në një konferencë para gazetarëve.
Hoti tha se takimi në Uashington, i kryesuar nga ai si kryeministër, do të mbahet shumë shpejt në një datë të re, në dakordim me ndërmjetësuesin e SHBA-së në dialog, Richard Grenell.
Ai theksoi se takimi i planifikuar më 27 qershor është shtyrë për shkak të zhvillimeve të reja në vend, pas njoftimit nga Zyra e Prokurorisë Speciale për aktakuzë për krime lufte ndaj presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi.