Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, ka thënë se pasardhësi i tij në këtë post, Albin Kurti, i ka pranuar të gjitha dokumentet për të gjitha proceset në dialogun me Serbinë dhe se mbetet i hapur për çdo informatë gjatë procesit sa Hoti ka udhëhequr me Qeverinë.
Ai ka thënë tutje se Kurtit i janë dorëzuar të gjitha materialet e tjera të nevojshme dhe se ato janë të protokolluara.
Hoti ka shtuar se Qeveria paraprake ka qenë plotësisht e përgatitur për procesin e dialogut.
“Me rastin e dorëzimit të detyrës, kryeministrit të ri i janë dorëzuar të gjitha materialet e nevojshme…”, ka shkruar Hoti.
Qeveria po planifikon që para se të shkohet në dialogun me Serbinë që ndërmjetësohet nga Brukseli, shefi i ekzekutivit të takohet edhe me partitë e opozitës.
Zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, ka thënë se Albin Kurti do të bisedojë me opozitën për çështje të interesit kombëtar.
Ai tutje thotë se qëllimi në rinisjen e dialogut është që Kosova dhe Serbia të jenë palë të barabartë në tryezën e dialogut.