Holanda dha dritën jeshile për Shqipërinë që të nisë bisedimet për anëtarësim. Pas përfundimit të zgjedhjeve të përgjithshme të marsit, ku partia e kryeministrit Mark Rutte fitoi mandatin e katërt për të udhëhequr vendin, Holanda ka vendosur t’u japë vëmendjen e saj maksimale proceseve integruese, përcjell albinfo.ch.
Theksohet se vendi më skeptik i BE-së duket se është bindur tashmë që Shqipëria ka bërë progresin e mjaftueshëm për t’u ulur me zyrtarët e Brukselit e për të nisur zyrtarisht bisedimet për anëtarësim.
Në mbledhjen e Parlamentit holandez u diskutua gjerësisht çështja e Shqipërisë dhe fati i saj për vijimin e rrugëtimit integrues, ku u vendos të hiqet ‘trau bllokues’ për mbajtjen e Konferencës së parë ndërqeveritare me vendin tonë pas miratimit të kuadrit negociator. Ambasada holandeze menjëherë pas vendimit shpërndau qëndrimin e Qeverisë së saj.
“Qeveria holandeze bie dakord që Shqipëria ka bërë progres në fushat prioritare si reforma në drejtësi dhe lufta kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit. Gjithashtu ‘track record’-i ka shënuar progres, megjithëse një numër më i lartë dënimesh për zyrtarët e lartë mbetet një çështje e rëndësishme për t’u mbajtur në vëmendje.
Sot, shumica e Parlamentit ra dakord që të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare me Shqipërinë, pas miratimit të kuadrit negociator. Procedura do të finalizohet nesër me votimin e mocioneve të mundshme të ngritura nga partitë apo grupet parlamentare”.
Prej shumë vjetësh qeveria holandeze ruante skepticizmin lidhur me negociatat, duke kërkuar përparim në kushtet e vena. Kthesa e Holandës vjen në një kohë kur Shqipëria la pas zgjedhjet parlamentare, ndërsa rezultati u certifikua nga Kolegji Zgjedhor.