Labinot Kabashi ka një histori mjaft interesant. Futbollisti 16-vjeçar u ftua nga Përfaqësuesja e Kosovës vitin e kaluar dhe kjo bëri bujë edhe në mediat ndërkombëtare, shkruan albinfo.ch.
Edhe pse nuk luajti asnjë minutë, megjithatë, si 16-vjeçar të ftohet nga Përfaqësuesja ishte një sukses i madh.
Për talentin e Barcelonës ka shkruar edhe prestigjiozja angleze “The Sun”. “Si vetëm 16-vjeçar, Labinoti është thirrur për ta përfaqësuar Kombëtaren e sapoformuar të Kosovës në futboll. Dhe Kabashi është në mesin e talenteve më të mirë në dispozicion”, shkruan e përditshmja angleze.
“Kabashi u lind në vitin 2000 në Kosovë, por iku nga vendi i shkatërruar nga lufta bashkë me familje në moshën dyvjeçare për t’i shpëtuar spastrimit etnik nga forcat serbe”, shkruan “The Sun”.
“The Sun” e citon Kabashin të ketë thënë për “Barca TV” kur ishte ftuar nga Kosova: “Fillimisht mendova se po bënin shaka me mua. Por, e kuptova që ishte e vërtetë isha i lumtur tej mase. Jam krenar që jam në gjendje të luaj për Kosovën”, ka thënë Kabashi.