Parlamenti i Zvicrës pak javë më parë vendosi me shumicë dërmuese votash për pushimet dyjavëshe me pagesë të etërve me rastin e lindjes së fëmijës.
Pas këtij zhvillimi, bartësit e iniciativës për pushime katërjavëshe të etërve të rinj hoqën dorë nga kjo iniciativë, shkruan srf.ch.
Por, ata vazhdojnë të synojnë një pushim më të gjatë, megjithëse iniciativa e përmendur tash nuk do të hidhet për votim para popullit.
Komiteti iniciues ka vendosur një kusht: Nëse do të miratohet realizimi i një referendumi të paralajmëruar kundër pushimit dyjavësh, atëherë ai (komiteti në fjalë) nuk do të heqë dorë nga iniciativa e vet katërjavëshe, transmeton albinfo.ch. Në një rast të tillë, iniciativa do të hidhej në votim popullor në nivel të vendit vitin e ardhshëm.
Aktualisht, baballarët me rastin e lindjes së fëmijës kanë të drejtë vetëm për një ditë pushimi me pagesë.