Vendimin për lirimin e tre policëve të Kosovës nga autoritetet serbe, që ishin rrëmbyer më 14 qershor, e ka përshëndetur ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, përcjell albinfo.ch.
Ai është shprehur se tani pret përpjekje shtesë për depërshkallëzimin e mëtejshëm të situatës.
“Ne e mirëpresim lajmin për vendimin e gjykatës për lirimin e tre policëve të Kosovës dhe presim që të bëhen përpjekje shtesë që do të çojnë në depërshkallëzimin e mëtejshëm të situatës aktuale”, tha Hill për KO.
I pyetur se çfarë pret më pas për krizën në veri të Kosovës, ambasadori amerikan bëri thirrje për zbatim urgjent të planit trepikësh të Bashkimit Evropian dhe kthimin e menjëhershëm të Kosovës dhe Serbisë në tryezën dialogut.