Udhëheqësi i Hezbollahut, Naim Qassem, kërcënoi me konfrontim të hapur nëse qeveria libaneze vazhdon me planet për të çarmatosur grupin militant, duke e cilësuar vendimin e kabinetit si zbatim të “urdhrave SHBA-Izrael”.
Këshilli i Ministrave të Libanit miratoi një vendim javën e kaluar që kërkonte që ushtria të zhvillonte urgjentisht një plan çarmatimi dhe ta zbatonte atë para fundit të vitit, duke shënuar sfidën më të rëndë për Hezbollahun që nga përfundimi i luftës civile në vitin 1990.
“Vendimi është i rrezikshëm dhe e ekspozon vendin ndaj një krize të madhe”, tha Qassem gjatë një fjalimi në Baalbek, transmeton albinfo.ch.
Tutje, ai u zotua se Hezbollahu nuk do t’i dorëzonte armët e tij dhe kërcënoi me konflikt të armatosur, nëse jo luftë të plotë.
“Partia do të luftojë një betejë historike nëse është e nevojshme përballë këtij projekti izraelito-amerikan, cilado qoftë kostoja. Nuk do të ketë jetë në Liban nëse qeveria përpiqet të përballet me partinë”, tha ai, shkruan euronews.
Qassem e hodhi poshtë idenë e protestave në këtë kohë “sepse ka vend për dialog me qeverinë”, por paralajmëroi se demonstratat mund të përshkallëzohen nëse vlerësohet e nevojshme.
“Kjo është toka jonë së bashku, atdheu ynë së bashku, jetojmë së bashku, ose nuk ka jetë për Libanin”, tha ai teksa falënderoi Iranin për mbështetjen e Hezbollahut “me para, armë, aftësi dhe qëndrime mediatike dhe politike”.