Një nga klubet më të mëdha dhe më me traditë në Zvicër, padyshim është Grasshoppersi.
Kjo skuadër zyrtarisht të dielën ka rënë një kategori më poshtë, pas humbjes nga Luzerni 4:0 (edhe pse ndeshja nuk përfundoi). Ishte vetëm çështje kohe zyrtarizmi në një ligë më poshtë, derisa tifozët nuk e kanë përjetuar aspak mirë, shkruan albinfo.ch.
Grasshoppers ka fituar 27 herë titullin në Zvicër, derisa është hera e parë për 70 vjet që bie nga elita e futbollit zviceran.
Në ndeshjen e fundit, tifozët e Grasshoppersit u afruan me rrethimin e fushës dhe kërcënuan futjen në fushë, nëse nuk ndalej ndeshja, gjë që ndodhi.
Më pas, kërkesa e vetme ishte: “Lojtarët e Grasshoppersit duhet të zhvishen, të dorëzojnë te tifozët fanellën. Vetëm portieri Heinz Lindtner bën përjashtim!”, ishte kërkesa e tifozëve.
Urdhri i ultrasve u zbatua, lojtarët dorëzuan fanellat dhe ndeshja nuk vazhdoi më. Një skandal i madh, që do t’i kushtojë rëndë Grasshoppersit.
Sa i përket ndeshjes së fundit, Idriz Voca shënoi një gol për Luzernin, derisa Shkëlqim Demhasaj humbi një penallti, derisa për Grasshoppersin nga fillimi luajtën Arlind Ajeti dhe Bujar Lika.