Njëri ndër lojtarët që do të debutojë për Kosovën në takimin miqësor ndaj Shqipërisë, është Hekuran Kryeziu.
22-vjeçari, i cili luan në pozitën e mesfushorit është i gatshëm të japë maksimumin për Kosovën.
“Jam i përgatitur të jap maksimumin për Kosovën. Do të jetë një ndeshje festive dhe e bukur për sy. Unë më herët kam qenë vetëm për pushime në Kosovë, derisa tashmë mbroj ngjyrat e Përfaqësueses. Besoj se do të jetë lojë e mirë dhe ne luajmë për fitore”, pohoi anëtari i Luzernit për ‘abinfo.ch’.
Takimi miqësor Kosovë-Shqipëri zhvillohet të premten (sot) nga ora 14:00 në stadiumin e Prishtinës. Kryeziu shpreson se do të jetë një ndeshje e bukur.
“Do të jetë festë edhe për tifozët. Shpresoj se do të mblidhen në numër sa më të madh dhe të festojmë së bashku”, u shpreh më tej Kryeziu.
Ai është vetëm 22-vjeçar dhe ka luajtur për grupmoshat e Zvicrës, derisa tashmë ka vendosur të përfaqësojë Kosovën.