Pas inaugurimit, kreu i Gjilanit dhe iniciatori i ngritjes së shtatoreve, Lutfi Haziri, tha se prej sot do të bashkëjetojnë dhe komunikojnë mes vete Idriz Seferi, Mulla Idriz Gjilani e Agim Ramadani, përskaj shumë dëshmorëve të tjerë, të cilët e dhanë jetën për këtë ditë të bardhë, shkruan gjilani.info, përcjell albinfo.ch
Haziri pohoi se Gjilani sot bashkon tri figurat kolosale të kombit shqiptar që në ditët më të vështira të atdheut, u kryengritën për t’i bashkuar shqiptarët dhe për t’i afruar në një tokë, nën një qiell dhe nën një diell.
Falënderim për kreun e Gjilanit, Lutfi Haziri, kanë shprehur edhe Isa Mullaidirizi, djali i heroit Mulla Idriz Gjilani, sikurse edhe Jeton Ramadani, djali i heroit Agim Ramadani, të cilët folën në emër të familjeve.
Ndërkaq, në fund, vëllai i heroit Agim Ramadani, Jashari, i ka dorëzuar kryetarit Lutfi Haziri një mirënjohje për iniciativën dhe kontributin për ngritjen e shtatores së kolosit të Karadakut.