Kryeministri Ramush Haradinaj ka deklaruar se askush nuk ka arsye të frikësohet nga transformimi i FSK-së në ushtri. Duke përmendur deklaratat e presidentit serb që ‘me këtë akt Beogradi do të përfundojë në qoshe, e çka mund të ketë pasoja tragjike’, Haradinaj ka thënë se ky është problem i mediave serbe dhe e propagandës atje.
“Edhe Vuçiqi, edhe Serbia e dinë që shqiptarët nuk janë të atillë. Asnjëherë në histori shqiptarët nuk kanë kërcënuar dikë që jeton me ta. Vuçiqit i duhet guximi që popullit të vet t’ia shpjegojë që jeta në Kosovë nuk varet nga Beogradi”, tha Haradinaj.
Sipas tij, Kosova do të jetë më e sigurt kur të përfundojë arkitekturën e institucioneve të sigurisë. Kryeministri, në margjina të Konferencës për Ekonomi në kuadër të Procesit të Berlinit për vendet e Ballkanit Perëndimor, që po mbahet në Budvë të Malit të Zi, ka zhvilluar një takim të përbashkët me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurz dhe kryeministrin e Malit të Zi, Dushko Markoviq. Gjatë takimit është biseduar për bashkëpunimin dhe integrimet rajonale, për të cilat kryeministri Haradinaj ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës që të jetë kontribuuese në këtë rrugë të përbashkët të vendeve të rajonit