Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Kosova i ka kufijtë e vet me të gjitha shtetet fqinje dhe si të tillë i respekton.
Këto komente ai i ka bërë në Durrës, duke folur në konferencën për gazetarë, pas takimit joformal të kryeministrave të rajonit.
“Kosova i ka kufijtë e vet me Shqipërinë, Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. Ne i respektojmë kufijtë tanë dhe nuk mendoj se duhet ndonjë kreativitet i ri. I respektojmë kufijtë që i kemi”, tha Haradinaj.
Në këtë takim në Durrës, bashkëbiseduesit kanë folur kryesisht për çështje ekonomike dhe rrugën e vendeve të Ballkanit Perëndimor drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
I pranishëm ishte edhe Komisionari i BE-së për Zgjerim, Johannes Hahn.