Kryeministri, Ramush Haradinaj, po qëndron për vizitë zyrtare në Vatikan, ku është pritur në takim nga Sekretari shtetit i Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin.
Të arriturat e vendit në aspektin politik dhe demokratik, pozicioni i Kosovës karshi vendeve të rajonit dhe bashkëpunimi ekonomik dhe diplomatik me këto vende, ishin disa nga temat e diskutimit në këtë takim.
“Kosova është e përkushtuar që të vazhdojë avancimin e raporteve me Vatikanin dhe se njohja e shtetësisë së Kosovës nga Vatikani, është hap i nevojshëm”, ka thënë Haradinaj. Kryeministri Haradinaj përmendi edhe faktin se liria fetare dhe orientimi euro-atlantik i Kosovës janë vlera të pacenueshme, vlera këto që duhet të promovohen edhe në raportet mes dyja vendeve.
Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, e inkurajoi popullin e Kosovës për paqe, pajtim dhe prosperitet me vendet fqinje dhe në rrugën e saj drejt integrimeve euro-atlantike. Pas pritjes nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, Kryeministri Haradinaj i bëri vizitë edhe Bazilikës së Shën Pjetrit në Vatikan, qendra e Selisë së Shenjtë.