Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka treguar se rreth 40 pjesëtarë të komunitetit serb kanë aplikuar për të qenë pjesë e ushtrisë së Kosovës.
Sipas kryeministrit Haradinaj, kjo tregon se shantazheve të Beogradit ndaj serbve po u vjen fundi.
Kryeministri Haradinaj më anë të një postimi në rrjetin social Facebook ka shkruar se rreth 200 pjesëtarë të komuniteteve joshqiptare kanë aplikuar për të qenë në Ushtrinë e Kosovës.
“Fakti që rreth 200 pjesëtarë të komuniteteve joshqiptare, prej tyre rreth 40 serbë, kanë aplikuar për ushtarë të Kosovës, është shenjë e qartë për integrimin dhe mirëbesimin në Forcën e Sigurisë së Kosovës. Vullneti i bashkëqytetarëve serbë, që të integrohen në të gjitha strukturat e Kosovës së 17 Shkurtit dëshmon se shantazhit dhe instrumentalizimit të tyre nga Beogradi po i vjen fundi”, ka shkruar Haradinaj.