Kryeministri, Ramush Haradinaj, ka thënë se prodhuesit janë lënë të vetëm dhe për një vit bizneset humbin më shumë se 300 milionë euro në mungesë të energjisë elektrike. Haradinaj këto komente i bëri në konferencën e organizuar nga Klubi i Prodhuesve të Kosovës me qëllim furnizimi me energji i sektorit në Kosovë, energjia e ripërtritshme.
“Kosova mund ta nisë një periudhë të qëndrueshmërisë së vet energjetike me kapacitetet e reja që janë paralajmëruar me “Kosovën e Re”. Por, “Kosova e Re” , kapacitetet, renovimi dhe mirëmbajtja e kapaciteteve të tashme, nuk i zgjidhin problemet e furnizimit me energji në tërësi, sepse akumulimi i energjisë është i pamundur të ndodh në rast se nuk ka burime alternative të energjisë, me këtë rast të ripërtritshme”, tha kryeministri Haradinaj.
Duke u ndalur te përkrahja e prodhuesve, kryeministri tha se Qeveria do të jetë partnere në punën e tyre dhe në të gjitha sfidat e përbashkëta.
Astrit Panxha, drejtor ekzekutiv i klubit të prodhimit të Kosovës, ka thënë se çdo euro që e fitojnë në eksporte bëjnë kalkulime në energji elektrike. Ai po ashtu tha se askush nuk i kompenson humbjet e prodhuesve.
Ndërsa, ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka ka thënë se situata energjetike nuk është e kënaqshme. Sipas tij Kosova është i vetmi vend në Evropë ku bizneset i subvencionojmë me tarifa shtëpiake. Përderisa në vendet e Bashkimit Evropian është krejtësisht e kundërta.