Në aeroportin ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari” nga dita e hënë ka nisur nga puna zyra për ankesa dhe kërkesa të pasagjerëve.
Qëllimi i kësaj zyre është mbrojtja e të drejtave të udhëtarëve të aeroportit të Prishtinës.
“Stafi i Ministrisë së Infrastrukturës do të jetë në shërbim të qytetarëve çdo ditë të javës. Ndërsa ankesat dhe kërkesat mund të parashtrohen edhe përmes numrit të telefonit (+381) 038 200 28 105, apo adresës në email avioudhetaret@rks-gov.net”, bën të ditur ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj, përcjell albinfo.ch.
Sipas tij, kjo nismë do të pasohet edhe me hapa të tjerë drejt rritjes së efikasitetit të udhëtimit për pasagjerët.
Ndërkohë në aeroportin ndërkombëtar “Adem Jashari” janë vendosur edhe tabelat përkatëse që orientojnë qytetarët si të zgjidhin çdo problematikë që kanë me kompanitë ajrore, si për vonesat e fluturimeve, anulimeve, humbje ose dëmtim të bagazhit apo lëvizja e personave me aftësi të kufizuar.