Ministri i Punëve të Brendshme në Kosovë Ekrem Mustafa njoftoi hapjen e pikës kufitare Restelicë-Strezomir që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut, përcjell albinfo.ch.
Ai bashkë me homologun e tij, Oliver Spasovski dhe disa ministra e deputetë bënë hapjen e kësaj pike, kjo u konfirmua edhe nga vetë ministri përmes një postimi në Facebook.
Postimi i plotë i Ekrem Mustafës:
Bashkë me homologun Oliver Spasovski, ministrat Pal Lekaj dhe Rasim Demiri, deputetët e komunitetit Bahrim Shabani dhe Adem Hoxha, zv.ministrat Hamza Balje dhe Usmen Baldze, si dhe qytetarë të shumtë bëmë hapjen e pikës së përkohshme kufitare Restelicë-Strezomir që lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut.
Kjo pikë e përkohshme kufitare do të lehtësojë çarkullimin e banorëve të këtyre zonave, sidomos në këtë kohë ku shumë qytetarë të diasporës vizitojnë familjet e tyre, si dhe do të promovojë turizmin malor në këto zona.
Kosova dhe Maqedonia e Veriut vazhdojnë përkushtimin të hapin mundësi dhe rrugë të reja komunikimi që janë të destinuara të përmirësojnë jetën e banorëve të këtyre zonave.