Komisioni Europian kërkon që patjetër të nisë bisedimet për 35 kapitujt me Shqipërinë në qershor të vitit të ardhshëm, shkruajnë mediat e huaja. Komisari i zgjerimit, Johanes Hahn, pas një takimi me kryeministrin Edi Rama theksoi se planifikon një vizitë të martën e ardhshme në Tiranë, përcjell albinfo.ch.
“Komisioni Europian do të vazhdojë të ndjekë zbatimin e reformave për hapjen e negociatave për vitin e ardhshëm. Do të bëhet gjithçka për të ecur përpara me hapat e parashikuar për negociatat. Ne do të jemi edhe në Tiranë. Do të flasim me Qeverinë dhe opozitën. Do të arrijmë këtë qëllim për shoqërinë shqiptare. Është qëllim i përbashkët, që na përket të gjithëve”, tha Johannes Hahn, Komisar për zgjerimin.
Në anën tjetër, kryeministri Edi Rama theksoi se “jemi të gatshëm të nisim përgatitjet për hapjen e negociatave dhe të përmbushim gjithçka që na është kërkuar”.
I pyetur në qoftë se një marrëveshje me Greqinë fqinje do të përshpejtonte hapat për Shqipërinë drejt BE-së, Komisari Hahn u përgjigj:
“BE-ja nuk pranon asnjë vend që ka konflikte me ndonjë fqinj. Ka pasur keqkuptime për vijën kufitare, besoj se do të zgjidhet brenda dy javësh”.