Mbi 6.500 punonjës të kujdesit shëndetësor dhe 500 anëtarë të shërbimit të ambulancave në Greqi janë pezulluar nga puna, sepse nuk janë vaksinuar plotësisht kundër COVID-19.
Ministri grek i Shëndetësisë, Thanasis Plevris, bëri me dije se fakti që 400 punonjës të kujdesit shëndetësor morën vaksinën gjatë ditës së hënë, disa ditë para afatit, tregoi se vendimi i qeverisë për t’i bërë vaksinimet të detyrueshme për punonjësit e spitaleve po jepte efekt.
Duke u përpjekur për të lehtësuar çdo pasojë në sistemin shëndetësor, qeveria tha se legjislacioni do të ndryshohet për të lejuar që punonjësit të kthehen menjëherë në vendet e tyre të punës për sa kohë që ata marrin dozën e parë në ditët në vijim, po ashtu të rikthehen edhe ata që kanë marrë të paktën një dozë, transmeton Euronews, përcjell Albinfo.ch.
Vendimi i qeverisë greke për të pezulluar ata persona të shëndetësisë të pavaksinuar me të dyja dozat shkaktoi protesta në shtetin fqinj.
Sipas autoriteteve, deri në 1 shtator të gjithë punonjësit e sektorit të shëndetësisë, mjekë dhe infermierë, duhet të ishin vaksinuar plotësisht, por jo të gjithë iu bindën këtij vendimi.
Rreth 53 për qind e popullsisë greke është plotësisht e vaksinuar dhe autoritetet shpresojnë të kapin shifrën 70% përgjatë muajve të vjeshtës.
Greqia të enjten raportoi 2.840 raste të reja me covid dhe 33 viktima.