Kombëtarja e Kosovës ka arritur mbrëmë një fitore historike ndaj Sllovakisë në kuadër të gjysmëfinales së “playoff”-it për kualifikim në Kupën e Botës, përcjell albinfo.ch.
Pas këtij triumfi, “Dardanët” do të përballen me Turqinë të martën në finalen vendimtare, e cila do të zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë. Në këtë përballje do të përcaktohet skuadra që do të sigurojë biletën për në Kupën e Botës, turneun më të madh futbollistik për kombëtare.
Fitorja e Kosovës ka ngjallur interesim të jashtëzakonshëm edhe jashtë vendit, veçanërisht në Turqi. Këtë e dëshmojnë statistikat e publikuara nga Google Trends, sipas të cilave Kosova është renditur ndër dy temat më të kërkuara në Google në Turqi gjatë shtatë ditëve të fundit.
Një trend i ngjashëm është vërejtur edhe në Sllovaki, ndonëse në përmasa më të vogla, por gjithsesi i konsiderueshëm, duke pasur parasysh faktin se bëhet fjalë për një shtet që nuk e njeh zyrtarisht pavarësinë e Kosovës.
Rritja e interesimit ndërkombëtar për Kosovën dëshmon se futbolli vazhdon të jetë më shumë se një lojë, duke shndërruar një ndeshje në ngjarje që zgjon kureshtje globale dhe e vendos një vend të vogël në qendër të vëmendjes./Albinfo.ch