Parlamenti zviceran i ka dhënë një goditje të fortë qeverisë, duke dobësuar ndjeshëm projektligjin që synonte përmirësimin e kushteve të punës për personelin shëndetësor.
Sipas SRF, një shumicë e djathtë në Këshillin Kombëtar (Nationalrat) ka hequr elementët kryesorë të reformës së propozuar nga qeveria, duke e lënë projektin shumë më të kufizuar në ndikim, transmeton albinfo.ch.
Ligji kishte për qëllim zbatimin e “Iniciativës për kujdesin shëndetësor” të miratuar nga qytetarët në vitin 2021, me masa konkrete për të përmirësuar kushtet e punës dhe për të frenuar mungesën e infermierëve.
Megjithatë, deputetët hoqën disa nga propozimet kryesore, përfshirë:
mos uljen e orarit maksimal të punës javore,
kompensime më të ulëta për punën gjatë fundjavës dhe festave,
rregulla më të buta për oraret dhe orët shtesë.
Shumica parlamentare argumentoi se masat e propozuara nga qeveria do të sillnin kosto shumë të larta dhe rritje të mundshme të primeve të sigurimeve shëndetësore, duke kërkuar një qasje më fleksibile dhe më pak të rregulluar.