Këngëtarja me famë botërore Rita Ora në një intervistë për Glamour Magazine ka bërë të ditur se ka në plan për të ngritur një shkollë arti në Kosovë.
Në numrin e muajit shtator ku Rita është edhe në ballinën e kësaj reviste, në një intervistë që ka dhënë ajo është shprehur se në partneritet me UNICEF-in, ka një plan afatgjatë për të ngritur një shkollë të arteve skenike në Kosovë duke iu referuar Kosovës si një vend që është ende i trazuar pas luftërave ballkanike në vitet e 90.
Shkolla skenike ka të bëjë me format e artit në të cilën artistët përdorin zërin e tyre apo edhe lëvizjet e trupit që përfshijnë vallëzimin, muzikën, operën, teatrin, pantomimën, teatrin e kukullave, recitimin.
Këngëtarja nuk heziton asnjëherë të përmend prejardhjen e saj nga Kosova, duke e promovuar kështu shtetin tonë, Kosovën.
Ajo, muaj më parë ka marrë titullin “Ambasadore nderi e Kosovës në botë”, titull që i është dhënë nga presidentja e vendit.
Rita ka paralajmëruar se së shpejti do ta ketë gati edhe një këngë me titull “Kosovo”.